Policia ruse ka arrestuar bashkëpunëtorët e liderit të burgosur opozitar, Alexei Navalny, për shkak të shpërndarjes së thirrjeve për protestë në përkrahje të tij.
Policia në Moskë ka njoftuar se çdo protestë e paautorizuar dhe provokimet e tilla do të shtypen menjëherë. Më shumë se 55 milionë persona e kanë shikuar videon e Navalnyt në lidhje me pallatin luksoz të presidentit Vladimir Putin në Detin e Zi.
Lideri opozitar është arrestuar të dielën menjëherë pas kthimit nga Gjermania, ku po qëndronte për trajtim mjekësor shkaku i helmimit me agjentin nervor Novichok.
Në mesin e të arrestuarve të enjten ishin zëdhënësja e tij, Kira Jarmish, dhe avokatja Lyubov Sobol. Protesta të paautorizuara janë planifikuar të mbahen në disa qytete të Rusisë gjatë të shtunës. Navalny ka tërhequr pas vetes me miliona përkrahës, kryesisht me publikimin e materialeve që i akuzonin autoritetet ruse për korrupsion.
Yje të sportit dhe artit në Rusi kanë përkrahur Navalnyn, përfshirë edhe yllin e hokejit, Artei Panarin. Ish-kampioni botëror i shahut, Garry Kasparov- tani aktivist kundër Putinit në SHBA, ka thënë se të gjitha qëndrimet e Navalnyt po shtypen nga Rusia.