Rusia është përplasur me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane në Kombet e Bashkuara lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve në zonat në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Gjatë diskutimeve për zgjedhjet e planifikuara në Donetsk dhe Luhansk më 11 nëntor, shefja politike e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo ka thënë se ka përkrahur qasjen perëndimore që procesi i votimit do të shkelë Marrëveshjen e vitit 2015, që parasheh hapat për zgjidhje të konfliktit në lindje të Ukrainës.
Pozicioni i marrë nga DiCarlo e ka lënë Rusinë të izoluar në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Madje aleatët perëndimorë e kanë bllokuar Rusinë që të sjellë para Këshillit, zyrtaren separatiste të Luhanskut, Olena Kravchenko, për të ofruar të dhëna për zgjedhjet.
Para se të niste takimi, Franca, Holanda, Polonia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Gjermania kanë lexuar një deklaratë jashtë zyrës së takimit, në të cilën kanë dënuar “zgjedhjet joligjore” të planifikuara më 11 nëntor.
Në deklaratë është thënë se zgjedhje të tilla do të shkelnin ligjin ukrainas dhe “do të binin ndesh me përkushtimin” e bërë nga separatistët dhe Rusia sipas Marrëveshjes së Minskut.
Shtetet e Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për t’u bashkuar në kundërshtimin e këyre zgjedhjeve, duke thënë se ato “do të ndikojnë në shuarjen e përpjekjeve për të arritur paqe në rajon”.
DiCarlo ka thënë se Marrëveshja e Minskut e nënshkruar më 2015 ka ndihmuar në uljen e armiqësive, megjithatë “është arritur pak përparim në përfundimin e luftimeve”.
Ndërkohë ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya ka argumentuar se zgjedhjet “nuk kanë të bëjnë asgjë me marrëveshjen e Minskut”, sepse janë zgjedhjet komunale.
Më shumë se 10,300 persona janë vrarë në luftimet në mes të forcave ukrainase dhe separatistëve nga prilli i vitit 2014.
DiCarlo ka thënë se shkeljet e armëpushimit janë rritur së fundmi dhe numri i viktimave është rritur.