Përpos në Evropën Perëndimore, koronavirusi është duke u përhapur shumë edhe në vendet e Evropës Lindore. Rusia dhe Ukraina të mërkurën shënuan shifrat më të larta të viktimave që sëmundjes COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Në Rusi, gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan 346 të vdekur nga koronavirusi, që është shifra më e lartë e shënuar deri më tani. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave në këtë shtet shkoi në 26.935.
Përpos vdekjeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 16.202 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 1 milion e 563 mijë, që është shifra e katërt në botë, pas rasteve në Shtetet e Bashkuara, Indi dhe Brazil, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Rekord të viktimave të pandemisë për 24 orë shënoi edhe vendi fqinj i Rusisë, Ukraina. Atje, të mërkurën u raportuan 165 të vdekur nga COVID-19, që ishte numër dukshëm më i madh se rekordi i kaluar prej 141 viktimash, i regjistruar më 21 tetor, saktësisht para një jave.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe në Ukrainë u regjistruan edhe 7.474 raste të reja të koronavirusit dhe numri i përgjithshëm i personave të infektuar shkoi në 363.075.