Qeveria e Rusisë ka thënë se do të nisë prodhimin masiv të vaksinës kundër koronavirusit muajin e ardhshëm dhe do të prodhojë “disa miliona doza” në muaj deri në vitin e ardhshëm.
“Jemi duke llogaritur në nisjen e prodhimit në masë në shtator”, ka thënë Ministri i Industrisë Denis Manturov në një intervistë të publikuar nga agjencia e lajmeve TASS.
“Do të mund të sigurojmë prodhimin e disa qindra mijëra vaksinave në muaj dhe eventualisht të rrisim numrin deri në disa milionë doza deri në fillimin e vitit tjetër”, ka thënë ai, duke shtuar se një kompani është duke përgatitur teknologjinë e prodhimit në tri lokacione në Rusinë Qendrore.
Shteti është duke shtyrë përpara disa prototipa të vaksinave dhe njëra që është krijuar në institutin Gamaleya në Moskë ka arritur në nivelet e avancuara të zhvillimit.
Ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko tha të shtunën se vaksina e Gamaleya ka “kompletuar testimet klinike” dhe se po përgatiteshin dokumentet për t’u regjistruar në kuadër të shtetit.
Instituti Gamaleya u kritikua nga specialistët ndërkombëtarë kur hulumtuesit dhe drejtorët e këtij institucioni e injektuan prototipin e vaksinës te vetja para disa muajve, duke e quajtur gjestin si të paparë dhe të nxituar.