Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të shtunën e kanë miratuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për Sirinë, por vetëm përmes një pikëkalimi kufitar.
Ky vendim u mor një ditë pas skadimit të afatit gjashtëvjeçar të një operacioni humanitar, me ç’rast u rrezikuan miliona civilë sirianë.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se jeta e civilëve sirianë varet nga qasja në furnizimet që vijnë nga jashtë. Megjithatë, Kina dhe Rusia pesë herë përdorën veto ndaj rezolutës për ndihma, duke kërkuar që numri i pikëkalimeve kufitare nëpër të cilat mund të kalojnë ndihmat të zvogëlohet nga dy në një. Më në fund, këto shtete e arritën qëllimin e tyre dhe u miratua propozimi i Rusisë.
Mosmarrëveshje kishte edhe në lidhje me atë se a duhet të vazhdohet autorizimi për shpërndarje të ndihma për gjashtë muaj apo një vit. Në këtë pikë, Rusia lëshoi pe dhe u miratua propozimi i mëparshëm i Gjermanisë dhe Belgjikës që ndihmat të autorizohen për një vit.
Ambasadori i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, u tha homologëve nga Rusia dhe Kina që të raportojnë në kryeqytetet e tyre se ai ua ka bërë pyetjen: “Si munden ata njerëz që dhanë udhëzime për ndërprerjen e ndihmave për 500,000 fëmijë të jenë të gatshëm ta shikojnë veten në pasqyrë nesër?”
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha të martën se qasja në ndihmat e jashtme është jetike për mirëqenien e civilëve në pjesën veriperëndimore të Sirisë dhe se jeta e njerëzve varet nga to, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Në janar të këtij viti, Këshilli i Sigurimit e kishte lejuar zhvillimin e operacionit humanitar nga dy pikëkalime turke për gjashtë muaj, por i kishte larguar nga shfrytëzimi pikëkalimet nga Iraku dhe Jordania për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina, që janë aleate të regjimit sirian dhe diktatorit Bashar al-Assad.