Qyshkur e xhiroi një pjesë të videoklipit të saj në objektin kishtar ortodoks në Prishtinë – që nxiti reagime të komunitetit serb duke e cilësuar blasfemi vizuelizimin e këngës “E dehun”- suksesi i Era Istrefit jo rrallë është shoqëruar edhe me telashe, shkruan sot Koha Ditore.
Në shkurt të këtij viti, publikimi ilegal i një pjese të këngës së re “Redrum” të artistes që përfaqësohet nga kompania e njohur amerikane “Ultra Music”, përfundoi në polici. E të premten, ajo është bërë pjesë e lajmeve ditore për shkak të anulimit të një performance në Rusi, pas kërcënimeve që kishte marrë.
Një fotografi e Era Istrefit – imazhi me të cilin mbahet mend hiti i saj “BonBon” që e shndërroi këngëtaren kosovare në sensacion brenda natës – është publikuar në ballinën e uebfaqes zyrtare të festivalit muzikor “Europa Plus Live”. Por këngëtarja nga Kosova nuk do të këndojë në festivalin që mbahet në stadiumin “Luzhniki Stadium” në Moskë.