Rusia do të dëbojë disa diplomatë britanikë së shpejti, në përgjigje të dëbimit të 23 diplomatëve rusë nga Britania.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se dëbimet do të ndodhin patjetër.
Mbretëria e Bashkuar i ka dëbuar diplomatët rusë, pasi Moska ka refuzuar të japë shpjegime se si një agjent nervor, prodhim i Rusisë, është përdorur për të helmuar një ish-spiun rus dhe vajzën e tij në Britani.
Rusia e ka mohuar përfshirjen, ndërsa Ministria e saj e Jashtme i ka quajtur “çmenduri” akuzat e kryeministres britanike, Theresa May.
Lavrov po ashtu tha se qasja e Britanisë së Madhe është nxitur pjesërisht për shkak të problemeve të qeverisë me Brexit-in.
Ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia mbeten në gjendje kritike për jetën, edhe dhjetë ditë pas helmimit me agjent nervor.