Më shumë se 3 milionë turistë të huaj erdhën në Rusi gjatë Kupës së Botës në futboll, tha të hënën, një ditë pas ndeshjes finale të turneut në Moskë, Kryeministri rus Dmitri Medvedev.
“Kjo shifër është rreth dy herë më shumë se gjatë Olimpiadës Dimërore të vitit 2014”, – tha Medvedev në komentet e dhëna për agjencinë e lajmeve “Interfax”.
Rusia u lejoi të huajve që erdhën për të ndjekur turneun më prestigjoz të futbollit të hynin në vend pa viza. Medvedev shprehu besimin se fluksi i turistëve të huaj do të ndikojë pozitivisht në perceptimin për Rusinë në mbarë botën.
Rusia priti Kupën e Botës 2018, ndeshjet e së cilës u luajtën në 11 qytete në pjesën europiane të vendit, nga 14 qershori deri më 15 korrik.