Rregullatori i komunikimeve në Rusi tha se do të verifikojë nëse Facebook po e zbaton ligjin rus, i cili kërkon nga rrjetet sociale t’i ruajnë të dhënat personale të qytetarëve rusë në serverët rusë.
Roskomnadzor vazhdimisht ka paralajmëruar Facebook-un dhe rrjetet e tjera sociale se mund të bllokohen vitin e ardhshëm, nëse nuk veprojnë në përputhje me ligjin.
“Në të ardhmen e afërt, Roskomnadzor planifikon një seri aktivitetesh mbikëqyrëse për të analizuar Facebook-un”, tha përmes një deklarate rregullatori rus i komunikimeve.
Autoritetet ruse thonë se ligji synon të mbrojë të dhënat personale të shtetasve rusë.
Kritikët, megjithatë, e shohin atë si përpjekje për të forcuar kontrollin mbi mediat sociale, të cilat përdoren sidomos nga aktivistët e opozitës ruse.
Vitin e kaluar, Roskomnadzor ka bllokuar qasjen në rrjetin LinkedIn.
Roskomnadzor tha se Twitter ka rënë dakord për të vepruar në përputhje me ligjin rus.