Rusia mohon tërheqjen nga Venezuela

Prishtinë | 04 Qer 2019 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Raportet se specialistët ushtarakë dhe teknikë rusë nga Venezuela janë duke u larguar nuk janë të vërteta, thonë zyrtarët rusë, duke shtuar se bashkëpunimi me Karakasin po ndodh si zakonisht dhe është vendosur të zgjerohet.

Të dielën“Wall Street Journal” raportoi se personeli ushtarak rus dhe teknik e kishte lënë Venezuelën në masë të madhe, me numrat që u pakësuan nga 1.000 në disa dhjetëra.

Gazeta shpjegoi ikjen e pretenduar nga mungesa e kontratave dhe nga fakti se Moska me sa duket e kuptoi se Caracas nuk ka fonde për të paguar shërbimet e korporatës ruse të teknologjisë së lartë, Rostec.

Mirëpo të hënën ishte vetë korporata që e hodhi poshtë raportin.

“Shifrat e dhëna në artikullin nga Wall Street Journal janë ekzagjeruar dhjetëra herë. Numri i stafit tonë ka mbetur i njëjtë për shumë vite”, shkruan RT.

Eksportuesi rus i pajisjeve ushtarake të Rusisë, Rosoboronexport, tha se Moska dhe Karakasi po planifikojnë të rrisin bashkëpunimin. Kompanitë ruse “mbeten të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe departamentet e tjera të qeverisë venezuelase”, thuhej në njoftim.

Në një postim të tij në Twitter , Presidenti i SHBA-së, Donald Trump,  tha se Rusia kishte “larguar shumicën e njerëzve të tyre” nga Venezuela.

Ndërsa bashkëpunimi ushtarak dhe teknik midis Rusisë dhe Venezuelës ka vazhduar me vite, ajo ka pësuar një trazim kohëve të fundit mes përpjekjes së mbështetur nga SHBA për të rrëzuar presidentin Nicolas Maduro dhe për të instaluar vetë presidentin e përkohshëm Juan Guaido.

Aktiviteti modest ushtarak i Rusisë në Venezuelë u ra në sy politikanëve dhe mediave amerikane, duke shtruar kërkesa që Moska të “largohej” nga ajo që Uashingtoni beson të jetë “oborri” i saj.

Të ngjashme