Rusia e ka regjistruar shifrën më të lartë ditore të të vdekurve nga Covid-19 me 852 viktima në 24-orëshin e fundit. Besohet se në këtë gjendje po ndikojnë varianti Delta dhe ngurrimi i popullsisë për t’u vaksinuar.
Shifra e re e rasteve fatale e çon në 205.531 numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga pandemia në Rusi. Ky njëkohësisht është numri më i madh i viktimave në Evropë, shkruan The Guardian.
Rekordi i viktimave të pandemisë në Rusi u shënua edhe të premten e javës së kaluar.
Pavarësisht rekordit, autoritetet ruse janë akuzuar se i kanë zvogëluar shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve.
Rusia është e pesta në botë me mbi shtatë milionë raste me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, ndërsa fushata e vaksinimit nuk është zhvilluar në masë të kënaqshme.
Qendra e përhapjes së virusit, Moska, është përballur me rritje të numrit të rasteve javën e kaluar. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i pacientëve në spitale po rritet.
Në gjendje më të mirë nuk është as një shtet tjetër i Evropës Lindore, Rumania, që të martën regjistroi rekord të rasteve – 11.049 për 24 orë.
Rumania është e parafundit në Bashkimin Evropian për përqindjen e vaksinimit. Vetëm një e treta e popullsisë së rritur atje është vaksinuar.