Presidenti amerikan, Joe Biden ka denoncuar vendimin e Rusisë për të pezulluar marrëveshjen e eksportit të prodhimeve bujqësore, të ndërmjetësuar nga OKB-ja në Detin e Zi, duke e quajtur atë “thjesht i egër” dhe duke paralajmëruar se ky veprim do të rrisë urinë për popullin ukrainas.
Rusia pezulloi ditën e djeshme marrëveshjen e eksportit të prodhimeve bazë bujqësore, pasi pretendon se sulmi i ndodhur në flotën detare ka ardhur nga Ukraina, ndërkohë që kjo e fundit e ka mohuar. Ministria ruse e mbrojtjes akuzoi dhe Mbretërinë e Bashkuar se ka ndihmuar Ukrainën ne këtë sulm dashakeqës. Britania reagon menjëherë duke thënë se pretendimet e Rusisë janë të rreme dhe ka për synim të largojë vëmendjen nga dështimet ushtarake që ka pësuar.
“Nuk ka asnjë vlerë për atë që ata po bëjnë. OKB-ja e negocioi atë marrëveshje dhe ky duhet të jetë fundi i saj,” u shpreh presidenti Biden për mediat.