Rusia po armatos qytetarët në kufirin me Ukrainën

Prishtinë | 02 Gus 2023 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Guvernatorët e provincave Kursk dhe Belgorod të Rusisë njoftuan sot se “milicitë popullore” të vetëmbrojtjes, njësitë e sapoformuara, do të pajisen për të përballuar kërcënimin e infiltrimit të armatosur nga Ukraina fqinje.

“Tashmë prej shumë muajsh, ne po merremi me çështjen e furnizimit me armë të milicive vullnetare”, tha guvernatori i rajonit të Kurskut, Roman Starovoit, në një postim në Telegram. “Sot, mund të them grupi i parë mbërriti në bazë. Në të ardhmen e afërt do të rrisim numrin e armëve deri në 300”, vijoi ai.

Këto “milici popullore vullnetare” u formuan në dhjetor për të ofruar “ndihmë shtesë për forcat e armatosura, Gardën Kombëtare, policinë dhe rojen kufitare”, sepse rajoni i Kurskut po përjetonte pothuajse çdo ditë “sulme terroriste nga Ukraina”, sipas Starovoit.

Guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov sot mori pjesë në një ceremoni të dorëzimit të armëve për njësitë e vetëmbrojtjes së rajonit të tij, sipas mediave lokale. Në pamjet e transmetuara, burrat thirren me emër dhe marrin secili një pushkë automatike. Në këtë rajon “milicitë popullore vullnetare” ishin formuar që në javët e para të pushtimit rus të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se masat ishin të nevojshme për shkak të “sulmeve të nisura nga territori i Ukrainës”.

Provincat ruse në kufi me Ukrainën kanë përjetuar një rritje të sulmeve me dronë për disa muaj. Ka pasur edhe luftime dhe granatime në disa fshatra pranë kufirit, ndërsa në fillim të qershorit grupe të armatosura të rusëve që thonë se po luftojnë përkrah ushtrisë ukrainase, u infiltruan në rajonin e Belgorodit dhe pasuan përleshje të ashpra. /REL

Të ngjashme