Rusia dëshiron kërkimfalje nga Shtetet e Bashkuara pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Putini është vrasës dhe se mund të hakmerret kundër Uashingtonit, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, tha të enjten një ligjvënës i lartë rus.
Në një intervistë të transmetuar një ditë më parë për televizionin ABC News, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha “po”, kur u pyet nëse beson që presidenti rus është vrasës.
Ai gjithashtu tha se Putini nuk ka shpirt dhe premtoi se homologu i tij do të paguajë një çmim për ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në ShBA, diçka që Kremlini e mohon.
Në një vendim të pazakontë pas intervistës së Bidenit, Rusia të mërkurën tha se e ka thirrur ambasadorin e vet në ShBA për konsultime urgjente rreth të ardhmes së raporteve me Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters.
Konstantin Kosachyov, nënkryetar i Dhomës së Lartë të Kuvendit në Rusi, tha se komentet e Bidenit janë të papranueshme, se do t’i përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të këqija dhe i japin fund çdo shprese në Moskë për ndryshimin e politikës amerikane nga administrata e re.
Ai tha se thirrja që Moska ia bëri ambasadorit të saj ishte hapi i vetëm i arsyeshëm për t’u marrë në këto rrethana. “Unë dyshoj që nuk do të jetë i vetmi (hap), nëse nga ana amerikane nuk vjen ndonjë sqarim apo kërkimfalje”, tha Kosachyov.