Rusia i ka regjistruar 21.983 raste të reja të Coronavirusit të premten, në kohën kur Moska po përgatitet t’i mbyllë restorantet dhe baret gjatë natës në përpjekje për ta kufizuar përhapjen e virusit.
Pavarësisht rritjes së numrit të rastëve në ditët e fundit, autoritetet ruse nuk i kanë vendosur masat që i kishin futur në fuqi në valën e parë në pranverë, por e kanë theksuar rëndësinë e higjienës, distancës sociale dhe masave të caktuara për rajone të veçanta.
Autoritetet në Moskë, ku në 24 orët e kaluara u regjistruan 5.974 raste, i kanë urdhëruar baret, restorantet dhe klubet e natës që të mbyllen nga ora 23 deri në orën 6 të mëngjesit deri në mesin e janarit. Zyrtarët kanë paralajmëruar për bastisje dhe gjoba për ata që nuk e respektojnë këtë masë.
Përpos kësaj mase, qyteti me gati 13 milionë banorë ka vendosur gjithashtu që mësimi në universitete dhe shkolla të mesme të mbahet përmes internetit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se do të vendosen masa shtesë, nëse situata përkeqësohet.
Përpos infektimeve, në Rusi të premten u raportuan edhe 411 viktima të reja të koronavirusit dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 32.443.
Me mbi 1.8 milionë të infektuar, Rusia është e pesta në botë dhe ndodhet pas Shteteve të Bashkuara, Indisë, Brazilit dhe Francës.