Rusia shënon rekord të zi – më shumë viktima se raste

Prishtinë | 30 Qer 2021 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Rusia ka raportuar shifër rekorde të viktimave të koronavirusit të martën. Ky shtet po përballet edhe me rritje të numrit të rasteve, të nxitur nga përhapja e variantit ngjitës, Delta, dhe nga zhvillimi i ngadalshëm i programit të vaksinimit.

Sipas të dhënave zyrtare, Rusia të martën regjistroi 29.652 vdekje të lidhura me koronavirusin për 24 orë, duke e rrëzuar rekordin e shënuar në dhjetor të vitit të kaluar. Përpos vdekjeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe mbi 20.000 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në gati 5.5 milionë.

Kremlini njoftoi se caku i vaksinimit, që është vendosur nga vetë autoritetet, nuk do të arrihet. Në javët e fundit, Moska dhe qyteti i dytë më i madh rus, Shën Petersburgu, kanë shënuar rritje të madhe të rasteve, duke i nxitur autoritetet që të kthejnë në fuqi disa masa kufizuese, shkruan Free Europe.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se varianti Delta përbën 90 për qind të rasteve të reja në kryeqytetin rus, ku të martën për 24 orë u regjistruan mbi 6.200 të infektuar. Për ta luftuar përhapjen e virusit, ai i urdhëroi bizneset që 30 për qind të stafit të pavaksinuar ta dërgojnë në shtëpi.

Në një takim qeveritar, ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se 23 milionë njerëz nga 146 milionë banorët e Rusisë e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, pavarësisht se qytetarët kanë pasur qasje në vaksina falas nga dhjetori.

Me mbi 134.000 viktima, Rusia e ka numrin më të madh të të vdekurve nga koronavirusi në Evropë. Kritikët thonë se autoritetet ruse i zvogëlojnë shifrat dhe se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë më i lartë.

Të ngjashme