Rusia shkatërron fabrikën e dronëve në Kiev, objekti ishte në pronësi të një firme amerikane

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

Një fabrikë për prodhimin e dronëve në Kiev është shkatërruar nga një raketë balistike ruse. Sipas raportimeve, objekti ishte në pronësi të një korporate amerikane të regjistruar në Delaware.

Bëhet fjalë për herën e parë që Rusia ka goditur një kompani amerikane në kuadër të luftës në Ukrainë. Sipas një burimi të njohur me kompaninë, nga sulmi nuk është raportuar asnjë viktimë.

Fabrika i përkiste kompanisë Terminal Autonomy, e cila prodhon dronë precizë me rreze të gjatë veprimi dhe sisteme udhëzimi rezistente ndaj ndërhyrjeve elektronike ruse.

Termi “autonomi terminale” i referohet fazës përfundimtare të sulmit të një droni kamikaz, kur inteligjenca artificiale merr kontrollin e armës pasi forcat mbrojtëse arrijnë të bllokojnë sinjalet e radios ose rrjetin celular.

Anthony Vinci, ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, tha se për Rusinë nuk ka rëndësi se kush është pronari i objektit të prodhimit.

“Është ende një objektiv. Ata nuk u intereson nëse është amerikane apo e dikujt tjetër”, tha ai.

Në fillim të korrikut, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin Ukrainës licencën për prodhimin e raketave kundërajrore Patriot.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi e para për sulmin të dielën, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes si burim. Në raport nuk përmendej se fabrika ishte në pronësi të një kompanie amerikane, por thuhej se në të kishin punuar “specialistë nga një kompani ukrainase-amerikane”.

Të ngjashme