Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë të mërkurën e ftoi në raportim zëvendësin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Moskë.
Këtë informatë e publikoi agjencia e lajmeve RIA, ndërsa nuk dihet se për cilat çështje i është kërkuar të raportojë diplomatit të lartë amerikan, transmeton Gazeta Express.
Të martën, ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan, tha se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara këtë javë për konsultime, katër ditë pasi Rusia i sugjeroi Uashingtonit që ta ftonte ambasadorin e vet në atdhe pas përplasjes diplomatike mes dy vendeve, shkruan Reuters.
Largimi i diplomatit amerikan do t’i lërë ambasadat e të dyja vendeve pa shefat e tyre në një moment jetik, kur Uashingtoni dhe Moska i kanë vendosur sanksione njëra tjetrës, kur ushtria ruse është grumbulluar afër Ukrainës dhe në kohën e shqetësimeve rreth shëndetit të opozitarit të burgosur rus, Aleksei Navalny, shkruan The Guardian.
Ndryshe, Rusia e thirri për konsultime ambasadorin e saj në Uashinton, Anatoly Antonov, muajin e kaluar, pasi presidenti amerikan tha se mendon që Putini është vrasës dhe se ai do të paguajë një çmim për ndërhyrjen e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së vitin e kaluar.
Marrëdhëniet mes dy fuqive botërore janë tensionuar kohëve të fundit. ShBA-ja javën e kaluar dëboi dhjetë diplomatë rusë. Ndaj kësaj mase reagoi menjëherë Rusia, e cila dëboi dhjetë diplomatë amerikanë.