Rusia tha të mërkurën se qëndrimi i saj ndaj përfundimit të luftës në Ukrainë nuk ka ndryshuar që nga koha kur presidenti rus, Vladimir Putin, i caktoi kushtet e tij vitin e kaluar: tërheqja e plotë e forcave ukrainase nga katër rajonet e Ukrainës dhe heqja dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.
Pas raportimeve në disa media se Shtetet e Bashkuara kanë marrë vesh se Putini është i gatshëm për të bërë kompromise rreth disa prej kërkesave të tij territorial, zv.zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Alexei Fadeev, u pyet nga gazetarët nëse pozicioni i Rusisë ka ndryshuar apo jo, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pozicioni i Rusisë mbetet i pandryshuar dhe ishte shprehur mu në këtë sallë para pak më shumë se një viti, më 14 qershor 2024” – tha Fadeev-i, duke iu referuar fjalimit që presidenti rus e kishte mbajtur atëherë në Ministrinë e Jashtme.
Atëherë, në komentet e tij më të plota publike deri në atë periudhë për formën e një zgjidhjeje të mundshme, kreu i Kremlinit i kishte paraqitur kërkesat e veta, përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e rajoneve Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson që i kanë ende nën kontroll.
Putini gjithashtu kishte thënë se Ukraina do të duhej që zyrtarisht ta njoftonte Rusinë se do të heqë dorë nga planet për t’u anëtarësuar në NATO dhe se synon që të mbetet neutrale dhe e parreshtuar.
Presidenti rus ka thënë se kushtet e tij do të duhet të pasqyrohen edhe në marrëveshje ndërkombëtare. Në kohën e fjalimit të tij vitin e kaluar, Ukraina i kishte hedhur poshtë kërkesat, duke thënë se ato paraqisnin një ultimatum absurd.
Ukraina disa herë ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të territoreve të saj dhe shumica e shteteve e njohin territorin e Ukrainës sipas kufirit të vitit 1991. Sipas vijës aktuale të frontit, kërkesa e Putinit do ta përfshinte dorëzimin e 21 mijë kilometrave katrorë shtesë.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia duhet të pajtohet për armëpushim para se të diskutohen çështjet territoriale. Ai ka thënë se do të kundërshtojë çfarëdo propozimi rus për tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit dhe për dorëzimin e vijave të mbrojtjes.