Rusia vë në lëvizje nëndetësen bërthamore, NATO në alarm

Prishtinë | 02 Tet 2022 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Frika që Rusia mund të përdorë armë atomike në luftën e saj në Ukrainë sa vjen e shtohet. Nëndetësja ruse me energji bërthamore “Belgorod” po lëviz në detet e Arktikut dhe ekziston dyshimi se misioni i saj është të testojë raketën silurë “Poseidon”, e aftë të mbajë koka bërthamore. Rrezja e goditjes është dhjetë mijë kilometra. Kështu thuhet në një raport të NATO-s, të cituar nga media italiane “La Repubblica”, sipas të cilit Aleanca është në gatishmëri dhe po monitoron çdo lëshim të mundshëm të raketave nga nëndetësja.

Mjeti luftarak i Rusisë “Belgorod”, 184 metra i gjatë dhe 15 metra i gjerë, mund të lundrojë nën ujë me rreth gjashtëdhjetë kilometra në orë dhe me një autonomi praktikisht të pakufizuar. Besohet se mund të qëndrojë 120 ditë pa u kthyer në sipërfaqe, shkruan A2news.al.

Kjo vjen pasi lideri çeçen dhe aleati i linjës së ashpër të Moskës, Ramzan Kadyrov, i kërkoi presidentit Vladimir Putin, të merrte në konsideratë përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët, si kundërpërgjigje për humbjet që po pëson ushtria ruse në lindje të Ukrainës. Në orët e fundit raportohet se trupat e Putin janë tërhequr nga qyteti strategjik i Limanit në Donjeck, një nga katër rajonet pjesërisht të okupuara të Ukrainës, të cilat Rusia pretendon se po I anekson. Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se pas vendosjes së flamurit në atë territor, do të çlirojë dhe gjithë Donbasin.

Ai paralajmëroi ushtarët rusë duke u thënë: largohuni nga Putin dhe kundërshtoni urdhrat e tij, ose do të vriteni të gjithë, një e nga një. Ndërkohë, janë raportuar sërish bombardime në Zaporizhia, teksa luftime ka edhe në zona të tjera në lindje dhe jug të Ukrainë. Kievi ka bërë dhe një bilanc të fundit të luftës dhe njofton se që prej 24 shkurtit ka eliminuar rreth 60 mijë ushtarë rusë.

Të ngjashme