Bota është duke u përballur me pandeminë COVID-19 tash e disa muaj. Ritmet e përhapjes vijojnë të jenë të shpejta.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tani numrin më të madh të rasteve me koronavirus në botë, duke lënë pas Kinën dhe Italinë.
Deri tani numri i të infektuarve në SHBA ka arritur në 245.175, ku prej tyre janë 10,943 të shëruar dhe 6,959 të vdekur.
Njëra nga këta të infektuar është Flutur Hasani, studentja 29-vjeçare nga Kosova e cila është duke studiuar në New York.
Flutura ka treguar në një intervistë për Literal Media, përvojën e saj personale derisa u shërua nga Coronavirusi.
Studentja nuk e ka idenë se nga kush e ka marrë virusin, mirëpo tregon se sa vështirë e kaloi atë.
Ajo thotë se asnjëherë më parë nuk ishte më e sëmurë, e çdo ditë ka qenë më e rëndë se tjetra. Ajo vetëm ka pritur momentin se kur do të vdesë.
Në vijim lexojeni intervistën e plotë:
Cilat kanë qenë simptomat e para tek ju?
Simptomat e para kanë qenë dhimbje trupi, temperaturë e brendshme, ethe, pastaj në vazhdim simptomat kanë ndryshu janë shtu si: diarre, ngushtim i frymëmarrjes, probleme konstante me frymëmarrje, kollë i thatë, dhimbje gjoksi, shpine.
A keni pasur kontakte me njerëz para rezultatit, a ka gjasë që e keni transmetuar?
Para se me i pas simptomat kam pas kontakte me njerëz të tjerë ndoshta edhe e kam transmetu nuk e di sigurt, shpresoj që jo, pasi që kanë filluar simptomat jam vetizolu dhe nuk kam pasur kontakt me askënd përpos shoqeve që jetojmë së bashku, te cilat poashtu kanë qenë sëmurë.
Ku mendoni se e keni marrë COVID-19?
Nuk e dijmë sigurt se ku e kemi marrë pasi që në New York situata është shumë e rënduar dhe numri i të infektuarve është shumë i lartë.
Ku dhe nga kush jeni testuar?
Jam diagnostikuar në Elmhurst Emergency Hospital në Queens New York.
Si jeni trajtuar, jeni shtrirë në spital apo ke qenë në vetizolim?
Me udhëzim të doktorit jam trajtu në shtëpi si shumica e personave të tjerë pasi që nuk ka mundësi me i trajtu të gjithë në spitale, pra është e pamundur pasi që ka shumë njerëz që duhet me u trajtu dhe numri vetëm po rritet.
Çfarë terapie jeni duke përdorur?
Kam përdorur vetëm “Tylonol” – në Kosovë i njohur si “Paracetamol”, (jo brufen, jo antibiotikë) dhe jam këshillu nga doktorët me pi sa më shumë langje dhe me qendru në shtëpi.
Çka i këshilloni personat e prekur me këtë virus dhe ata të cilët nuk janë ende të prekur?
I këshilloj me qëndru në shtëpi pasi që deri më tani kjo është masa e vetme që e dijmë që duhet me ndërmarr për me ndalu këtë virus edhe nëse ju duhet me dalë për çfarëdo arsye me i marrë masat mbrojtëse pasi që virusi e ka vërtetu që shpërndahet shumë lehtë dhe shpejt. Unë për vete mund të them se asnjëherë në jetën time nuk kam qenë më sëmurë sesa tani. Për çdo ditë kam menduar që po vdes. Po tash e kam kalu dhe fituar betejën me COVID-19 dhe po ndihem shumë ma mirë edhe unë edhe tri shoqet e mia me të cilat jetojmë së bashku. (Intervistoi: Agnesë Zeqiraj)