Sa do t’iu kushtojë amerikanëve Trump, tani që nuk është më president?

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 07:10 | Nga Ekonomia Online

Që nga mesdita e 20 janarit, Donald Trump përfiton më rrogën e plotë presidenciale, që është 400 mijë dollarë në vit. Tashmë ish-presidenti do të përfitojë një pension të përvitshëm që kap vlerën 221 400 dollarë në vit, por me gjithë benefitet e udhëtimeve dhe rrogat e stafit që qëndron ende rreth tij, shifra totale e shpenzimeve mund të arrijë deri në 1 milionë dollarë në vit.

Ka një mundësi që Trump të humbasë këtë pension, nëse Senati voton për ta shkarkuar nga detyra. Por duke qenë se ai nuk është më në detyrë, sipas Michael Gerhardt, profesor i Universitetin e Karolinës së Veriut, Senati do të duhet të votojë përsëri për heqjen e pensionit të posaçëm. Megjithatë, ka ekspertë të tjerë që thonë se edhe votimi i dytë, që i heq titullin “ish-president”, mund të mos mjaftojë.

Sipas një analize të bërë nga Fondacioni i Bashkimit të Taksapaguesve Amerikanë, që prej vitit 2000 janë paguar në total 56 milionë dollarë për benefitet e katër ish-presidentëve që janë ende në jetë.

Vetëm vitin e kaluar, për qiratë e zyrave të Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama, janë paguar nga 1,5 milionë dollarë (nga 500 mijë dollarë për secilin). Ndërsa për zyrën e Jimmy Carter është paguar 118 000 dollarë qira.

Demian Brady, drejtor i kërkimit në Fondacionin e Bashkimit të Taksapaguesve Amerikanë, thotë se Trump mund të marrë para nga shteti amerikan për të paguar qira zyrash që në fakt, ndodhen brenda godinave në pronësi të Trump.

I vetmi benefit të cilin Trump nuk e përfiton është sigurimi i shëndetit – pasi një president duhet të ketë të paktën 5 vite në detyrë për ta përfituar atë.

Megjithatë, pensioni, e merr apo nuk e merr, nuk duket se do të shkaktojë probleme për Trump, i cili rregullisht ka thënë se nuk e ka marrë rrogën prej 400 mijë dollarësh në vit gjatë kohës që ka shërbyer si president, duke e rishpërndarë në degë të tjera të qeverisë.

Ligji për t’i dhënë presidentit të Shteteve të Bashkuara një pension të posaçëm pasi lë detyrën u miratua në vitin 1958, pasi në atë kohë ish-presidenti Harry Truman kishte probleme financiare. Por vazhdimisht ka pasur thirrje për ta hequr ose pakësuar shifrën, për shkak se presidentët fitojnë shifra të konsiderueshme nga shitja e librave apo mbajtja e fjalimeve në publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme