Sa nënshkrime janë mbledhur në peticionin e zyrtares së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Mbi 3 mijë e 600 nënshkrime janë mbledhur deri tash në peticionin për liberalizimin e vizave për kosovarët, të nisur nga këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, raporton Express.

Peticioni i nisur në change.org, ka qëllim që t’i bind shtete skeptike të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës sa ma parë.

Në arsyetimin e iniciativës thuhet se qytetarët e Kosovës s’duhet të jenë më të izoluar.

“Përkundër se Kosova ka dëshmuar për përmbushjen e të gjitha kushteve, liberalizimi i vizave vazhdon të kundërshtohet nga dy anëtare të BE-së – Franca dhe Holanda. Liberalizimi i vizave për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit si dhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë është realizuar qe disa vite. Koha është që edhe qytetarët e Kosovës, të kenë mundësinë që të hyjnë në BE pa nevojë për të aplikuar për viza. Ndërkohë, hyrja pa viza është e mundur për të gjithë qytetarët e BE-së në Kosovë. Ky trajtim i pabarabartë duhet të marr fund. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të izoluar. Prandaj, bëjmë thirrje për një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovë në samitin e radhës të BE-së, në qershor 2022”, thuhet në arsyetimin e iniciativës.

Nismën e Schneerberger e ka përkrahur edhe ish-zëvendës presidentja e Parlamentit Evropian, Lunacek.

Lunacek ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të përjashtuar nga mundësia për të vizutar miqtë dhe familjet në BE

“Një iniciativë e rëndësishme, ju lutem nënshkruajeni dhe shpërndajeni: Qytetarët e Kosovës nuk duhet të jenë më të përjashtuar nga mundësia për të vizutar miqtë dhe familjet në BE”, ka shkruar Lunacek.

Ndryshe, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, gjatë një interviste të dhënë sot u shpreh optimist se kosovarëve do t’u hiqen vizat këtë vit. Rohde tha se do të jetë ambasadori i fundit gjerman në Kosovë që do të pyetet për liberalizimin e vizave.

Të ngjashme