Njerëzit po dynden në plazhe me zbutjen e masave kufizuese të vendosura për të luftuar coronavirusin e ri, por qasja mund të jetë e limituar dhe zyrtarët e shëndetit publik bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, përfshirë ruajtjen e distancimit social.
Në të gjithë botën, njerëzit u janë drejtuar plazheve me mbërritjen e verës në hemisferën veriore.
“Pak rreze dielli, pak vitaminë D dhe sistem të forcuar imunitar, për këtë kemi nevojë”, tha Suso Perez, banor në Gran Canarie.
Dyndja e pushuesve në këto zona ka qenë normale në të shkuarën e afërt, por këtë vit është shumë ndryshe.
Me rregullat strikte të vendosura përreth botës, qasja në plazhe do të jetë e kufizuar dhe zyrtarët e shëndetësisë kërkojnë që të tregohet kujdes i shtuar dhe sigurisht distancimi fizik duhet të jetë kusht i domosdoshëm.
Plazhet në Itali por hapen, por pamja nuk i ngjason asaj tradicionales.
“Jemi të detyruar të bëjmë shumë ndryshime në mënyrë që të hapim aktivitetin. Dezinfektojmë kabinat e plazhit, restorantet si dhe kioskat këtu në plazh”, tregon Massimo Zardetto, pronar resorti.
Çadrat do të jenë shumë larg njëra-tjetrës. Përpara kishte fusha tenisi dhe volejbolli dhe pub-e për të festuar deri në agim. Asnjë prej tyre nuk do të ekzistojnë këtë vit në këtë resort në Itali.
Ndryshime drastike edhe në plazhet e famshme të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara. S’do të ketë qëndrim në rërë, pasi plazhi është kufizuar vetëm për not dhe sërf, transmeton gazetaexpress. Madje në disa zona të Amerikës mund të ndalohet zhvillimi i piknikëve dhe plazhi. Gjithashtu shitësit ambulantë nuk do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre këtë sezon.