Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, në intervistë për Ekonomia Online vlerësoi se situata aktuale në dialogun Kosovë–Serbi është pasojë e taktizimeve të Serbisë dhe mungesës së qeverive funksionale në të dy vendet.
Vlërësim vjen një ditë pasi që zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë pas takimit me Peter Sorensenin, të dërguarin e BE-së për dialogu Kosovë- Serbi se takimi i djeshëm (i 2 qershorit) ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi i Serbisë është përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.
Sadiku tha se përparim në dialog, sidomos në aspektin politik, mund të pritet vetëm pas krijimit të qeverive të reja në të dyja shtetet.
“Janë taktizime të Serbisë që të mos krijojë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e dialogut dhe për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, qoftë në aspektin teknik se, siç e dimë, aspekti politik ka ngecur, pasi që dhe Kosova ende nuk ka një qeveri funksionale e dalë nga zgjedhjet e fundit, por edhe Serbia e ka një qeveri të përkohshme, sepse gjasat janë se atje mund të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Sadiku.
Sipas tij, për të folur për përparim në dialog, veçanërisht në temat politike, duhet pritur krijimi i qeverive të reja në të dyja vendet.
“Kësisoj pas këtyre zgjedhjeve që mund të mbahen ose pas krijimit të qeverisë së re në Kosovë dhe në Serbi, mund të flasim për përparim në dialog, veçanërisht në temat politike”, tha ai.
Në lidhje me pjesën teknike të dialogut, Sadiku kritikoi qasjen e Serbisë, duke e cilësuar atë si palë destruktive në mënyrë të vazhdueshme.
“Sa i përket aspektit teknik, sigurisht që Serbia në vazhdimësi ka qenë palë destruktive dhe është munduar që të prolongojë situatën ose t’i tensionojë raportet në çdo takim që është mbajtur me shumicën e qeverive në Kosovë”, tha ai.
Gjithashtu vlerësoi se në takimet e reja nuk pritet ndonjë rezultat konkret, por më shumë një përmbushje formale e agjendës së Bashkimit Evropian.
“Nuk mund të pritet diçka konkrete. Mund të kemi vetëm disa takime që mund t’i shërbejnë BE-së për fotografi, në kuptimin që të përmbushë rendin e ditës dhe detyrat e palëve të deleguara nga Bashkimi Evropian për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë–Serbi, por jo diçka konkrete që mund të dalë nga këto takime”, tha për EO, Sadiku.
