Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja është arrestuar sot në Durrës nga Policia e Shqipërisë, pasi dyshohet të jetë zënë me dokumente të anëtarit tjetër të LVV-së, Xhevat Bislimi.
Siç mëson Insajderi, Ramabaja kishte tentuar t’i përdorte për vete dokumentet e anëtarit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq, Policia e Kosovës konfirmoi sot se kanë marrë njoftim nga Policia e Shqipërisë për ndalimin e të dyshuarit për terrorizëm, Sadri Ramabaja.
“Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R. shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit”, thuhet në njoftimin e sotëm të policisë.
Sadri Ramabaja dyshohet se është pjesë e grupit të dyshuar terroristë të Murat Jasharit i cili ka sulmuar me armë Azem Vllasin dhe ka pasur plan për vrasjen e liderëve politikë të Kosovës.
Murat Jashari është i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen ndaj avokatit, Azem Vllasi dhe është në paraburgim me dy persona të tjerë.
Ramabaja është ftuar për t’u intervistuar nga Prokurira e Shtetit këtë të hënë.