SafeJournalists: Drejtori i Insajderit të Kosovës nën presion për zbulim të burimeve

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Insajderi ka publikuar një artikull në lidhje me mospranimin e disa vaksinave të Pfizer dhe BioNtech nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Më vonë atë ditë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mbajti një konferencë për medie ku ftoi Prokurorinë të nisë investigimin për rrjedhjen e këtyre informatave konfidenciale.

Në mëngjesin e 17 prillit 2021 policia zbarkuan në zyrat e Insajderit ku u intervistua Drejtori i portalit Parim Olluri.

Ai në faqen e tij të Facebook-ut publikoi një status, ku thuhej: “Nuk e di sa është i saktë njoftimi i Prokurorisë që thotë se ‘mediet nuk do te hetohen’.Në mëngjes Krimet e Renda te Policisë zbarkuan në Insajderi. Fillova intervistimin aty. Kërkuan qe intervistimi të vazhdohej në stacion policor. Pas pak, bashke me avokatin e Insajderit jemi te obliguar qe te paraqitemi për intervistim në stacion policor. Prokuroria nëpërmjet një komunikate u shpreh se do të hetohen vetëm zyrtarët nga të cilët kanë rrjedhur informatat “…për këtë çështje është hapur rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së dhe se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë, e jo ndaj medieve dhe gazetarëve”.

Më pas edhe Policia e Kosovës sqaroi nëpërmjet një komunikate se: “Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave se ishin publikuar informacione konfidenciale në median e shkruar, sipas autorizimeve ka ndërmarrë veprime ligjore drejt njoftimit të Prokurorisë kompetente. Pas këtij veprimi sipas urdhrit të Prokurorisë, veprimet e tjera janë ndërmarrë në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e garancitë që burojnë prej tyre. Policia, në këtë rast zyrtarët policor nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit, sipas urdhrit të Prokurorit në pyetje janë marrë vetëm personat apo zyrtarët që e kanë poseduar informacionin konfidencial.”

Kjo nuk është hera e parë që Olluri ka qenë shënjestër. Vitin e kaluar ai u linçua publikisht nga Hysamedin Ferraj, anëtar i partisë Lëvizja Vetëvendosje. Më 2019, ai u ftua nga Policia që të intervistohet lidhur me një artikull të cilin e kishin publikuar. Ndërsa, më 2018 një fushatë linçuese u nis kundër tij në një faqe Facebook-u, që atëbotë u quajt “Albanian Real Facts”.

Gentiana Begolli Pustina, kryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës u shpreh se janë thellësisht të shqetësuar nga rasti me kolegët nga Insajderi.

“Është e paprecedent që gazetarët dhe mediet të merren në pyetje. Kjo çështje është e rregulluar me ligj, ndaj dhe presim që ligji të implementohet në praktikë gjithashtu, e jo vetëm në letër. Edhe një herë, AGK fton të gjitha institucionet që të respektojnë ligjet në fuqi të cilat mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Secila përpjekje si kjo e fundit në drejtim të gazetarëve dëshmon se institucionet vet po e shkelin ligjin. Me raste si ky nuk mund të flasim për shtet demokratik”, u shpreh ajo.

Rrjeti SafeJournalists i cili përfaqëson mëse 8,200 profesionistë medialë të Ballkanit Perëndimor, i bashkohet anëtarit të vetë në shprehjen e shqetësimit ndaj presionit që i është bërë Insajderit. Rrjeti SafeJournalists kërkon nga institucionet që të mos shkelin të drejtat e medieve dhe gazetarëve, sepse kjo bën që demokracia e një vendi të destabilizohet. Inkurajojmë të gjithë gazetarët që të mos tërhiqen edhe kur përballen me pengesa të tilla dhe të vazhdojnë ta informojnë publikun drejtë.

Rrjeti SafeJournalists do t’i njoftojë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Të ngjashme