Sali Berisha në takim me ambasadorin e Kosovës: Minishengeni projekt i Jugosllavisë së re

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka pritur sot në takim ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Nait Hasani.

Temë diskutimi, nga ajo që bëri të ditur Berisha kanë qenë raportet mes dy vendeve, shkruan lajmi.net.

Berisha në këtë takim me Hasanin ka folur edhe për projektin e ashtuquajtur “Minishengeni Ballkanik”, për të cilin tha se është përpjekje destabilizuese e Beogradit dhe njerëzve të Beogradit në Shqipëri e Maqedoni për rivendosjen e hegjemonisë në rajon.

Sipas tij, ky projekt është i Jugosllavisë së re, dhe Kosovës me këtë rast i është future thikë pas shpine.

Postimi i plotë:

Takim me Ambasadorin e Kosovës!

Të dashur miq, dje prita në një takim, Ambasadorin e Kosovës, z. Nait Hasani.

Pasi i urova mirëseardhjen në misionin e tij diplomatik në Shqipëri, si Ambasador i Kosovës, diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe situatën rajonale.

Në këtë takim, shfrytëzova rastin ta siguroj Ambasadorin Hasani, për përpjekjet e pandërprera në zhvillimin e marrëdhënieve vëllazërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, si marrëdhënie shumë të rëndësishme në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjithashtu, denoncova përpjekjet destabilizuese të Beogradit, vasalëve të tij në Tiranë dhe Shkup, për të rivendosur hegjemoninë e Serbisë në rajon, hegjemoni që në të shkuarën ka sjellë luftra dhe konflikte të përgjakshme.

Me projektin e Jugosllavisë së Re, me emrin maskë “minishengen”, serbomadhi Vuçiç dhe argatët e tij në Tiranë dhe Shkup, i fusin Kosovën një thikë pas shpine dhe, shndërrojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në dy vasalë të Beogradit.

Në këtë kontekst, qëndresa e Kosovës ndaj këtij projekti ogurzi, merr rëndësi përcaktuese jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në mbarë rajonin.

Në këtë takim, gjithashtu i kërkova Ambasadorit Hasani, t’i përcjellë Qeverisë së Kosovës shqetësimin tim, për një marrëveshje të përgatitur nga Beogradi në kulisa, gjoja për emergjencën dhe që pritet të firmoset në Beograd nga Serbia dhe vasalët e saj në Tiranë dhe Shkup.

Me këtë marrëveshje, çështja e emergjencave në rajon, de facto, i besohet Serbisë dhe më saktë Rusisë, e cila ka ngritur në Nish prej kohësh një qendër “emergjencash”, e cila de facto, drejtohet nga zbulimi dhe shërbimet sekrete ruse.

Takimi ishte i hapur.

Të ngjashme