Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, i ka shpëtuar përfundimisht ndjekjes penale për fajde.
Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të shkallës së dytë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e ka miratuar pjesërisht ankesën e Mekajt. Ka konstatuar se ish-kryetari nuk ka përgjegjësi penale për pjesën ku flitet për fajde.
Megjithatë, Mekaj vazhdon të ndiqet penalisht për pika të tjera të aktakuzës, për të cilat ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Gjykimi i rregullt, siç ka mësuar “Koha Ditore”, pritet të fillojë këtë muaj më datën 19 prill.
Pos tij, të akuzuar mbesin edhe Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj. Ndryshe prej Mekajt, tre të akuzuarit e tjerë akuzohen për shtytje në kryerje të veprës penale, si dhe për dhënie ryshfeti.