Ish-shefi i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Salih Mustafa në seancën para Gjyqtarit të Procedurës paraprake në Hagë nuk ka pranuar që të deklarohet për fajësinë.
Mustafës i është bërë e ditur se për fajësinë mund të deklarohet në seancën e sotme ose brenda 30 ditëve.
“Brenda 30 ditësh do të thirreni që të pranoni fajësinë apo të deklaroheni fajtorë, nëse doni mund të deklaroni menjëherë nëse pranoni fajësinë apo të deklaroheni i pafajshëm. Do të ju pyes, a keni pasur mundësinë që t’i diskutoni akuzat me avokatin tuaj”, kanë thënë nga Specialja.\
Por, Mustafa nuk ka pranuar që për fajësi të deklarohet sot, pasi që thotë se i duhet kohë për të diskutuar me avokatin.
‘Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë ai.
Aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.