Besim Salihun, nga Instituti GAP, ka folur për dorëheqjet e kryetarëve të veriut.
Ai në Express Intervistën në KTV tha se Veriu ka hequr dorë kohë më parë për të bashkëpunuar me Prishtinën e në vitin 2007, edhe UNMIK-un. Përmendi edhe se në vitin 2008, ata madje ndërprenë bashkëpunimet me të gjitha institucionet në Kosovë. Kjo, tha ai, zgjati deri në 2013 kur në Veri u mbajtën zgjedhjet e rregullta.
“Për fat të keq, edhe pas zgjedhjeve në katër komunat e veriut gjendja nuk ka ndryshuar dhe është e njëjtë. Marrëveshja e Brukselit la keqkuptime, pasi në marrëveshje u saktësua të mbahen zgjedhjet lokale, por jo çka pas zgjedhjeve?”, tha ai.
Salihu tha se buxheti ka shkuar mirë në ato komuna vazhdimisht, por ata s’kanë bashkëpunuar asnjëherë me Prishtinën.
Kryetarët serbë që dolën nga zgjedhjet e Kosovës, tha ai, janë kryetar që i shërbejnë sektorëve të vet e jo kryetar që i shërbejnë Kosovës.
Kërkesa për dorëheqje e kryetarëve të katër komunave, Leposaviqit, Zubin Potoku, Zveçanit e Mitrovicës Veriore, nuk mund të revokohet. Salihu tha se veprimi i tyre, është akt politik, i vullnetshëm dhe si i tillë nuk mund të revokohet.
“Dorëheqjet e tyre duhet të pranohen”, tha Salihu.
Ai tha se presidenti i Kosovës mund të bëhet shkelës i Kushtetutës, për shkak të gjendjes që e ka sjellë KQZ-në.
“Kur kompletohet KQZ-ja dhe rrjedhimisht shpallen zgjedhjet, në veri kjo s’do të mund të ndodhë. Në veri do të dështojnë zgjedhjet pasi që as me KQZ-në ata nuk do të bashkëpunojmë. Pra zgjedhjet s’mund të ndodhin në një vend ku kërkesa e tyre është për mosbashkëpunim. Na pret një vakuum institucional. Zgjedhjet mund të dështojnë. Institucioneve të Kosovës iu duhet të kthehen në modelin e 2012-ës, ku emërohet një përfaqësues politik, ai për një kohë ushtron mandatin e kryetarit”, tha ai.
Salihu ka folur edhe për idenë e kryetarit Agim Bahtiri për t’u bashkuar Mitrovica, pra ajo e jugut me atë të veriut. Ai s’e beson që do të mund të ndodhë një bashkim i tillë, pasi thotë se gjithçka është politike.
“Problemi i Mitrovicës, i ndarjes etnike, tendenca që përmes ndryshimeve administrative të bëhet bashkimi, është e paqëndrueshme. Nuk është ndarje gjeografike kjo. Ai po kërkon diçka të tillë. Konsideroj që është ide jo mirë e studiuar. Esenca është të bëhen veprime që shtyjnë veriun e Kosovës të integrohet në institucionet e Kosovës. Nuk besoj që do të realizohet. S’kam hasur askund në asnjë vend zgjidhje të tillë. Kjo është ndarje etnike dhe ka probleme politike. Nuk zgjidhjen përmes ideve gjeografike e administrative”, tha tutje.
“Si mund të vlerësohet nga pikëpamja jonë nëse pranohet ideja e Agim Bahtirit që Mitrovica e Veriut të quhet Mitrovicë e Jugut dhe rrjedhimisht si do të reagonim ne sikur Leposaviqi të thotë që Zveçani e Zubin Potoku nuk eksitojnë por quhen Leposaviq? Pra një territor i tërë të quhet Leposaviq. Ne do t’i shkrijmë ato sipas kësaj logjike, dhe kushtimisht do të hapnim një kuti të Pandorës e do t’ju hapim mundësi të tjerëve të bëjnë veprimet e njëjta. Kjo s’është e menduar mirë dhe s’ka përmbajtje të qëndrueshme. Problemet në Kosovën e Veriut janë që nga paslufta. Dominojnë organet e Serbisë. Do të duhej që institucionet e Kosovës t’i shohin modalitetet e integrimit të asaj pjese në Kosovë se si ata të integrohen këtej”, tha në fund Salihu, tranmseton Koha.net.