Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka bërë të ditur se ndeshja e Kosovës kundër Maqedonisë do të zhvillohet gjatë muajit tetor, ndërsa finalja për kualifikim në Evropian në nëntor.
Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit për Kampionatin Evropian, pasi që është në gjysmëfinale të play-offs kualifikues për këtë garë, që këtë muaj u vendos të shtyhet nga vera e këtij viti në verën e vitit tjetër.
Salihu zbulon kur do t’i luajë Kosova ndeshjet vendimtare për Evropian
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i ftoi në takim përfaqësuesit e të gjitha 55 Federatave anëtare, Shoqatës së Klubeve Evropiane, Ligave Evropiane dhe Unionit të Futbollistëve Botërore (FIFPro). Ky takim ishte ftuar ta diskutuar përgjigjen e futbollit ndaj krizës së koronavirusit, që i ka ndalur përkohësisht pothuajse të gjitha garat në Evropë.
Për shkak se Kampionati Evropian u vendos të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021, e jo në vitin 2020 siç ishte planifikuar fillimisht, edhe ndeshjet e play-offs për këtë garë janë shtyrë.
Kosova ishte e supozuar të luante kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-offs më 26 mars, ndërsa nëse e fitonte këtë përballje në Shkup do të kualifikohej në finalen e madhe të 31 marsit, kur do të luante si mysafire ose kundër Gjeorgjisë, ose kundër Bjellorusisë.
Këto dy ndeshje të mëdha tashmë janë shtyrë për në qershor, ndërsa Salihu ka treguar se ndeshja kundër Maqedonisë do të zhvillohet në tetor, nëse ajo kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë, nëse Kosova e arrin finalen, do të zhvillohet në nëntor.
“Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej në shtator. Por, nuk jemi pajtuar që kjo të zhvillohet si ndeshje e parë, pasi që lojtarët duhet të kthehen në formë. Por, do të zhvillohet në tetor”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Nëse arrijmë në finale, atëherë ndeshja kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë do të zhvillohet në nëntor. Unë besoj se nëse zhvillohen në këto data, do të jetë shumë e vështirë të zhvillohen me tifozë në stadium”.
Salihu shtoi se Kosova nuk do të kthehet kokulur nga Evropiani nëse e arrin kualifikimin, pasi që theksoi se stili i lojës së futbollit të Kosovës është tepër argëtues dhe i pëlqyer nga tifozët e futbollit.