Salijaj i VV-së kërkon të hetohen dyshimet për tjetërsimin e pronës së RTP-së 12 milionë euroshe

Prishtinë | 01 Mar 2024 | 13:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj, ka njoftuar anëtarët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në lidhje me të gjeturat e raportit për dyshimet e tjetërsimit të pronës së ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) nga Sllavica Mikiq, raporton Ekonomia Online.

Sipas këtij raporti të prezantuar nga deputeti Salijaj, thuhet se parcela kadastrale me nr.427-1, në zonën kadastrale në Çagllavicë me sipërfaqe prej 3 hektar e 92 ari është tjetërsuar  dhe regjistruar në vitin 2022, në emër të Sllavica Mikiqit.

Sipas raportit, kjo pronë kapë vlerën prej 12 milion euro, dhe se ndërkohë prona është ndarë në 64 njësi të reja kadastrale dhe se është bërë me shumë pronarë.

Deputeti Salijaj ka thënë se deri te këto gjetje kanë ardhur pas vizitave dhe takime në Agjencionin Kadastral të Kosovës, Drejtorinë për Kadastër në Prishtinë, Drejtorinë për Kadastrër në Prizren, Gjykatën Themelore në Prizren, Arkivin Ndërkomunal të Prishtinës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Agjencinë e Privatizimit të Kosovës (AKP), Agjencionin e Regjistrimit Civil (ARC).

“Me datë 22 dhjetor 2020, Bordi i drejtorëve të AKP-së kishte marrë Vendim për likuidimin e ndërmarrjes RTP, prej datës 18 janar 2021. Ligji Nr. 04/L-034, për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) thotë se pas marrjes së Vendimit për Likuidim nga autoriteti i Likuidimit, ndërpriten të gjitha ndryshimet qofshin ato Akvendime, Aktgjykime apo Vendime të Arbitrazhit. Këtë situatë gjithashtu e Sqaron mjaft mirë edhe Udhëzuesi Juridik i Gjykatës Supreme të Kosovës, (C- IV-151607, të datës 15 tetor 2015) duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit nr.04/L-034 i cili sqaron. Nga data e parashtrimit të Njoftimit të Vendimit për Likuidim, e deri në përfundimin e likuidimit, PEZULLOHET çdo procedurë gjyqësore, administrative apo e arbitrazhit që është kundër ndërmarrjes dhe aseteve të saj që është subjekt i Vendimit për Likuidim, përfshirë procedurat përmbarimore të vendimeve të formës së prerë”, ka deklaruar ai.

“Gjithashtu znj, Sllavica Mikiq pas marrjes së Vendimit për likuidim nga Autoriteti i likuidimit ju ka drejtuar AKP- së me kërkesë Pronësore ku ka pretenduar për të drejtat në parc.kad. nr.427-1, z.kad. Çagllavicë në sipërfaqe prej 3.92ha, ku me datë 11.02.2022 AKP, ka kërkuar nga znj. Mikiq që të bëjë plotësimin e kërkesës, ku me datë 20.05.2022 znj. Mikiq ka pranuar letrën për plotësimin e disa dokumenteve, që nënkupton se letrën e ka pranuar 3 ditë pasi që prona ishte regjistruar në emër të sajë nga ana AKK-së, pikërisht me datë 17 maj 2022. AKP e kishte refuzuar kërkesën e znj. Sllavica Mikiq”, ka thënë ai.

“Sipas Ligjit të AKP-së dhe Udhëzuesit Juridik të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me Ligjin e AKP-së, Vendimi i Agjencionit është i Kadastral të Kosovës nr. 13/141/22, i datës 17.05.2022 për zbatimin e Aktgjykimit P.br.56/76, i datës 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren,

kundërligjshëm dhe si i tillë paraqet vepër penale, dhe hiq nuk ka rëndësi Aktgjykimi a është origjinal apo i falsifikuar”, tha ai.

“Prona publike tanimë e tjetërsuar (parc.kad.nr.427-1, z.kad. Çagllavicë me sipërfaqe prej 3.92 ha) dhe e regjistruar në emër të Sllavica Mikiqit, kapë vlerën prej 12 milion euro, pronë e cila ndërkohë është ndarë në 64 njësi të reja kadastrale me shumë pronarë dhe biznese ne momentin kur e kemi marr historinë, ndërsa sot mundë të ketë edhe më shumë parcela të krijuara dhe pronarë të ndryshëm.  Gjithashtu vlenë të theksohet se tjetërsimi i pronës publike të RTP Agjencionit Kadastral të Kosovës u bë në Kundërshtim me ligjin dhe në mënyr të kundërligjshme ngase prona publike e RTP-së në momentin e tjetërsimit ishte në procesin e Likuidimit, sipas Vendimit të autoritetit të Likuidimit pranë AKP-së”.

“Dyshimet e bazuara që me ngritjen e shqetësimit në Komisionin Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, pas këtyre të gjeturave tanimë janë realitet se tjetërsimi i pronës publike të Radio Televizionit të Prishtinës me sipërfaqe prej 3 hektar e 92 ari, u paramendua, u shkrua dhe në fundë pa asnjë dilemë po na del i FALSIFIKUAR, Aktgjykimi P.br.56/76, datë 28.04.1976 i Gjykatës së Qarkut në Prizren. Pretendohet se raste të tilla dhe të ngjajshme të tjetërsimeve dhe keqëpërdorimeve me prona publike të ketë shumë dhe ky rast ndoshta është një nga një mijë raste që dyshohen të kenë ndodhur me pronat publike të shtetit të Kosovës, andaj nga ky takim ju bëjmë thirrje institucioneve të shtetit- Hetuesisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të merren me rastin e tjetërsimit të Pronës publike të RTP-së dhe keqpërdoruesit sa më parë të dalin para organeve të drejtësisë”, ka thënë ai.

Deputeti i VV-së Sali Zyba, bëri thirrje që kjo çështje të shkoj për shqyrtim në nivelet më të larat në Kuvend të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Fitore Pacolli tha se gjatë kësaj mbledhje ka qenë e paraparë që vetëm të bëhen publike të gjeturat dhe se për hapat që do të ndërmerren, do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme, pasi raporti të shqyrtohet edhe nga anëtaret e tjerë të Komisionit.

Të ngjashme