Sallahu: Sistemi gjyqësor dhe opozita po përkrahin Listën Serbe

Prishtinë | 31 Dhj 2024 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që hodhi poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për vendimin e PAZP-së lidhur me vendimin certifikimit të Listës Serbe.

Ai ka theksuar se, pavarësisht pengesave ligjore, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe parandalimi i akteve terroriste duhet të kishin përparësi, duke kërkuar që ankesa të shqyrtohej në meritë.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm për pengesat procedurale, por për shkak të veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese dhe antiligjore, në mbrojtje të akteve terroriste, me të cilin është cenuar seriozisht siguria e shtetit ishte dashur që mbrojtja e sigurisë nacionale shtetërore t’i mbivendoset pengesave procedurale dhe kësisoj ankesa jonë të ishte shqyrtuar në mënyrë meritore dhe kështu t’i ndalohej Listës Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare 2025”, ka shkruar ai në Facebook.

Sallahu e ka cilësuar vendimin si një hap përpara për një subjekt politik antikushtetues dhe ka akuzuar sistemin gjyqësor dhe opozitën për mbështetje të Listës Serbe, duke e cilësuar certifikimin e saj si një akt skandaloz.

“Gjykata Supreme i ka hapur rrugë një subjekti politik antikushtetues dhe mbështetës i parezervë i veprimeve terroriste të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Pse po duan ta lejojnë certifikimin e Listës Serbe me patjetër? Dhe në këto momente tepër vendimtare për vendin përgjegjësinë e këtij certifikimi skandaloz për partinë e Radojçiqit do ta mbajë sistemi gjyqësor dhe opozita. Të dyja po shpalosen si pjesë përkrahëse të Listes serbe në një formë apo formën tjetër”, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme