VV: KQZ-ja shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Prishtinë | 06 Jan 2025 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur shortin për renditjen e partive politike në fletëvotime për zgjedhjet e 9 shkurtit. 

KQZ-ja në hedhjen e  shortit e ka përfshirë edhe Listën Serbe, ndaj certifikimit të së cilës, LVV ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). 

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se me këtë KQZ-ja e ka shkelur ligjin. 

“KQZ- shkelë serish ligjin! Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë ankesë ne PZAP- kundër vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e listës serbe. Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, ka shkruar ai.

Sallahu tha se KQZ-ja ka shkelur ligjin me rastin e ndarjes së numrit për subjektin politik Lista Serbe, duke mos pritur vendimin përfundimtar të PZAP-së.

“Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, thuhet në ankesën që ky subjekt politik ka deponuar në PZAP.

Të ngjashme