Një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për listat dhe numrin e madh të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rikthyer debatin për kontributin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Nga partia e Dardan Molliqjat e kanë quajtur Kurtin si “veteran të rrejshëm”, Ramush Haradinaj e ka kërcënuar me protesta derisa nga Lëvizja Vetëvendosje janë munduar të kundërpërgjigjen me deklaratat e Sylejman Selimit, Rexhep Selimit, Rrustem Mustafës dhe Hysni Klinakut të OVL UÇK’së të cilët e quajnë Kurtin si bashkëluftëtar dhe veteran të UÇK’së.
Lidhur me këtë debat që është hapur, për Gazetën Express ka folur ish-komandanti i UÇK’së, Sami Lushtaku. Ai thotë se Kurti s’ka qenë ushtar dhe se s’ka guxuar që të kapë armën edhe pse është lutur për një gjë të tillë.
“As s’u kanë ushtar… dihet ku u kanë o burrë a pe din, e kemi lutë me i kapë armët s’ka guxu a pe din…”, ka thënë Lushtaku.
Tutje Lushtaku thotë se sa i përket statusit të veteranit, kryeministri Kurti është veteran i rrejshëm.
“Për mue nuk u kanë ushtarë… jo as ushtarë, për veteran s’di gjo, po tash janë bo qesi veteran të rrejshëm sa të dush tash, e në mesin e tyre është edhe ky tash”, ka thënë Lushtaku.
Megjithatë disa ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK’së që kanë qenë në frontin e luftës bashkë me Lushtakun, kanë dhënë qëndrime të ndryshme lidhur me kontributin e Kurtit në UÇK.
Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa i njohur si “Remi” në Pressing të T7 kishte deklaruar se Kurtin e kishte pasur bashkëluftëtar dhe se njihen prej kohës së luftës.
“Unë Albin Kuritn e kam pasë bashkëluftëtar dhe e njohë prej asaj kohe”, kishte deklaruar Remi.
Se Albin Kurti ka qenë pjesë e UÇK’së e kishte thënë edhe Sylejman Selimi. Ai madje kishte thënë se ishin takuar disa herë gjatë luftës.
“Normal që Albin Kurti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne jemi takuar disa herë gjatë luftës me të. Nuk po me pëlqen debate që është duke ndodhur me figura të rëndësishme të UÇK-së”, kishte thënë Sylejman Selimi në ATV.
Derisa Hysni Klinaku i OVL UÇK-së kishte deklaruar në Kanal 10 se Albin Kurti është veteran i UÇK-së.
“Çështja e z. Kurti është çështje që e ka verifikuar apo e ka nënshkruar listën që i ka takuar z.Adem Demaçi”, kishte thënë Klinaku në Kanal 10.