Samiti i liderëve të BE-së me homologët nga shtetet e Ballkanit do të mbahet këtë të mërkurë, pa shfaqjen e simboleve nacionale, përfshirë edhe flamujt, për ta respektuar kështu statusin neutral të BE-së në raport me Kosovën, informojnë burimet diplomatike.
Në takimin vitrtual, do të marrin pjesë 27 liderët e BE-së, pasi që krejt kryeqytetet e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, si dhe ata të 6 shteteve ballkanike: Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia veriore, Shqipëria dhe Kosova, kjo e fundit duke mos qenë e njohur nga pesë shtete anëtare të BE-së, përfshirë edhe Spanjën.
Bojkoti spanjoll ndodhi në Samitin e shkuar për Ballkanin që u mbajt në Bullgari më 2018, kur, atëherë, kryetari i Qeverisë, Mariano Rajoy, vendosi të mos merrte pjesë për shkak të pranisë së Kosovës. Kësaj radhe, Pedro Sanchez e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Në kryeqytetin e BE-së janë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e çështjes, për këtë arsye i kanë hartuar “normat” për t’ua lehtësuar të gjithë liderëve evropianë që të marrin pjesë në samit.
Prandaj edhe u kanë rekomanduar pjesëmarrësve që ta përdorin një “identitet të njëjtë vizual” që nënkupton përdorimin e emrit dhe stilin grafik të propozuar nga Këshilli, për ta inkurajuar uniformitetin në këtë mbledhje, porse kanë garantuar se nuk do të përdoren simbolet kombëtare, raporton “Europapress”,
“Këshilli ka kërkuar me mirësjellje që të mos ekspozohen flamujt apo simbolet gjatë videokonferencës”, kanë konfirmuar burimet që kanë nënvizuar se ka garanci se samiti do të zhvillohet në këtë formë.
Megjithëkëtë, në Bruksel shmangin vëmendjen nga Spanja dhe kujtojnë se edhe katër shtete të tjera nuk e njohin pavarësinë e ish-krahinës serbe: Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania – ndërkohë që kryeministrat e tyre do të marrin pjesë në këtë videokonferencë. Në këtë mënyrë, BE-ja rithekson, përtej ngurrimit të disa kryeqyteteve ndaj Kosovës, samiti dëshmon përkushtimin e fuqishëm që blloku e ka ndaj rajonit, gjë që shikohet si “një shenjë e mirë”.