Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, “blindohet” Tirana, bllokohen disa akse rrugore

Prishtinë | 27 Shk 2024 | 17:53 | Nga Ekonomia Online

Në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje të shumë delegacioneve me nivel të lartë përfaqësimi nga Europa Juglindore, Ukraina dhe vendet e rajonit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve.

Konkretisht në terren do të jenë të angazhuar mbi 1500 efektivë policie, ndërsa pjesë e planit të masave është dhe bllokimi i qarkullimit rrugor me fasha orare në disa akse të kryeqytetit.
Ndërkohë sa i takon rrugëve brenda perimetrit të sigurisë, bllokimi do jetë total.

“Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024”, tha Rebani Jaupi, Drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Në dy ditët e bllokimit të qarkullimit, policia orienton të gjithë qytetarët të përdorin rrugët alternative që të aksesojnë me aeroportin Nënë Tereza.

“Do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar”.

Të ngjashme