Rrjetet 5G janë ende në zhvillim e sipër dhe ekzistojnë vetëm disa vende ku në to mund të qasemi me një numër të vogël të pajisjeve 5G që janë lansuar deri më tani. Megjithatë, kjo nuk e pengon Samsungun që të mendojë për të ardhmen dhe gjeneratën e ardhshme të rrjeteve mobile – 6G, raporton GSMArena.
Samsungu e ka konfirmuar zyrtarisht se i ka zgjeruar hulumtimet ekzistuese në telekomunikime pas lansimit të rrjetit 5G. Kjo do të jetë pjesë e qendrës së sapothemeluar të quajtur Advanced Communications Research Center, në kuadër të kompanisë Samsung Research. Përveç punës në zhvillimin e rrjetit 6G, Samsung Research është gjithashtu përgjegjës për inteligjencën artificiale dhe për robotikën, shkruan KOHA Ditore.
Natyrisht, nuk duhet ta presim ndonjë paralajmërim revolucionar në fushën e gjeneratës së ardhshme të rrjetit mobil në të ardhmen e afërt. Pritet që do të kalojnë disa vjet derisa rrjeti aktual 5G të përhapet gjerësisht.