Disa javë më parë, Samsungu i paralajmëroi investitorët se fitimi nga tremujori i parë do të binte me rreth 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Tani ka mbërritur një raport i detajuar i cili e konfirmon këtë projeksion, me një fitim operativ prej 5.4 miliardë dollarësh.
Kjo u shkaktua nga një rënie në të hyrat operative nga çipat për 23 për qind. Samsungu gjithashtu pësoi rënie më të ulëta edhe në departamentet e elektronikës mobile dhe të konsumit, raporton Engadget.
Megjithatë, kompania e Koresë së Jugut pretendon se “linja e lansuar së fundmi e Galaxy S10 ka arritur shitje solide”. Në kombinim me serinë A nga segmenti i mesëm, kërkesa e tregut pritet të rritet paksa në tremujorin e ardhshëm, edhe kur çmimet e pajisjeve bien, shkruan KOHA Ditore.
Galaxy Fold nuk është përmendur në raport, por Samsungu pret që pajisjet fleksibile të vazhdojnë të çojnë në rritjen e fitimeve në divizionin e kompanisë të ekraneve.
Kompania ende beson se pajisjet e palosshme, si dhe Galaxy Note dhe 5G do të ndihmojnë për ta “forcuar” dominimin e Samsungut në tregun e telefonave.