Samsungu rifreskon orët e mençura me funksione të reja

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Samsungu po sjell në orët e veta të mençura Galaxy Watch dhe Galaxy Watch Active funksione të reja, të cilat janë prezantuar me Galaxy Watch Active 2 të ri. Në mesin e tyre janë mundësitë e reja të asistentit Bixby, më shumë opsione për modifikimin e pamjes për skinë, opsione të reja të Samsung Health dhe interfejs touch bezel për Galaxy Watch Aktiv, raporton The Verge.

Shtimi i interfejsit touch bezel në Galaxy Watch Active do të duhej të jetë veçanërisht i dobishëm, pasi që modeli nuk posedon kornizën rrotulluese të pranuar mirë, e cila kishte zbukuruar modelet e mëparshme. Një interfejs i tillë punon shkëlqyeshëm në Galaxy Watch Active 2 të ri, kështu që supozohet që modeli i mëparshëm do ta sigurojë një përvojë të ngjashme.

Samsungu, gjithashtu, i ka ndryshuar edhe disa nga elementet e interfejsit, kështu që ikonat e aplikacioneve aktive janë zhvendosur, koha momentale shfaqet edhe derisa përdoret kronometri ose thirrja është në proces, ndërsa ikonat në panelin Quick tani janë më të lehta për konfigurim, shkruan KOHA Ditore. Sa u përket opsioneve të konfigurimit të pamjes, janë shtuar 41 variacione të reja.

Asistenti Bixby, gjithashtu, ka funksionalitete të reja në të dyja orët. Tani përmes tij mund ta ekzekutoni ushtrimin ose aktivitetin, t’i kontrolloni pajisjet SmartThings, ndërkohë që janë mbështetur edhe gjuhët e reja si frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja dhe italishtja.

Samsung Health, gjithashtu, i ka disa funksione të reja në të dyja orët, kështu p.sh. opsioni Daily Active do të kujdeset për synimet dhe kohën e fitnesit për xhiro kur vraponi ose pedaloni me biçikletë, dhe e ka edhe paralajmërimin e ri për numrin e vogël të rrahjeve të zemrës.

Sido që të jetë, është mirë të shihet se Samsungu kujdeset edhe për pajisjet e gjeneratës së mëparshme. Azhurnimi ka filluar tashmë, ndërsa gradualisht do të arrijë në pajisje në varësi të rajonit.

Të ngjashme