Ligjvënësit në San Francisco votuan për ta ndaluar përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe ky qytet u bë i pari që e ka bërë këtë në SHBA, raporton BBC.
Teknologjia gjithnjë e më e popullarizuar për njohjen e fytyrës nuk do të mund të përdoret nga agjencitë lokale si policia, administrata e transportit publik dhe të ngjashme. Përveç kësaj, planet për të blerë çfarëdo teknologjie mbikëqyrëse tani duhet të miratohen nga administrata e qytetit. Kundërshtarët e kësaj mase thanë se siguria e njerëzve do të rrezikohej dhe se do të vështirësoheshin përpjekjet në luftën kundër krimit.
Megjithatë, ata që e mbështesin masën argumentojnë se teknologjia e sotme nuk është e besueshme dhe se paraqet ndërhyrje të panevojshme në privatësinë dhe lirinë e njeriut. Ata gjithashtu shtuan se sistemi është i prirur ndaj gabimeve, veçanërisht kur është fjala për femrat dhe personat me ngjyrë më të errët, shkruan KOHA Ditore.
Ligji u votua në raportin 8:1 me dy mungesa. Masa pritet të bëhet zyrtarisht ligj pas votimit të dytë javën e ardhshme.
Rregullat e reja nuk zbatohen për masat e sigurisë në aeroporte ose porte sepse ato menaxhohen nga agjencitë federale dhe jo nga ato locale.