Sulmuesi anësor Jadon Sancho është shumë i lumtur te Borussia Dortmundi, thotë shefi ekzekutiv i klubit gjerman Hans-Joachim Watzke.
Sancho 19-vjeçar ka shënuar 14 gola dhe asistuar 14 gola tjerë këtë stinor. Ai është duke u kërkuar nga shumë klube të Premier Leagues, ndërsa është raportuar se Manchester Unitedi po planifikon të thyejë rekordin britanik për të transferuar Sanchon.
“Mendoj se ai e ka ndjenjën se klubi ka një të ardhme të mirë. Në mendimin tim, nuk besoj se ai dëshiron të largohet”, ka thënë Watzke për “BBC Sport” të hënën, transmeton Koha.net.
Sancho ishte 17-vjeçar kur u largua nga Manchester City dhe iu bashkua Dortmundit në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës të viti 2017. Dortmundi pagoi rreth 11.5 milionë euro.
Sancho shënoi 13 gola stinorin e kaluar, dhe debutoi për Anglinë në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Kroacisë në tetor të vitit 2018.
Watzke pranon se nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë, por ai ka besim se Sancho do të qëndrojë te Dortmundi.
Watzke po ashtu ka insistuar se Dortmundi, që zë vendin e tretë në Bundesligë, nuk do të lëkundet edhe nëse vjen ndonjë ofertë e madhe për Sanchon.
“Nuk është punë e parave. Për ne, do të ishte më së miri nëse ai qëndron te Borussia Dortmundi. Ne kemi mjaftueshëm para. Ne duam të fitojmë tituj. Mendoj se kjo skuadër ka shumë më tepër potencial me Jadonin sesa pa të”, ka thënë Watzke.