Sanxhaku i Pazarit të Ri – Histori e dhembjes shqiptare që ende kërkon drejtësi

Prishtinë | 06 Dhj 2025 | 13:08 | Nga Arif Ejupi

Mbrëmë, në një nga sallat e Universitetit të Gjenevës, nën patronatin e dy shoqatave tona jofitimprurëse – Komuniteti Shqiptar i Gjenevës dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës – u mbajt një takim kulturoro–historik me temën “Sanxhaku – Histori e dhembjes kombëtare”. Gjatë dy orëve të këtij aktiviteti ligjëroi prof. Ismet Azizi, i cili solli para publikut një analizë të thellë historike e dokumentare për pozitën dhe fatin e shqiptarëve të Sanxhakut të Pazarit të Ri.


Prof. Azizi, me studimin e gjendjes së shqiptarëve në këtë trevë, është marrë në mënyrë aktive që pas përfundimit të Luftës së Kosovës. Qysh në fillimet e hulumtimeve, së bashku me prof. dr. Nexhmedin Spahiun, ai ka vizituar këtë zonë dikur puro shqiptare, duke u njohur nga afër me pozitën e saj gjeografike dhe historinë mijëvjeçare – nga periudhat para ardhjes së osmanëve e deri në ditët e sotme.
Sipas hulumtimeve të prof. Azizit, Sanxhaku i Pazarit të Ri, me një sipërfaqe prej 8 687 km², ka qenë ndër shekuj i banuar me mbi 95 % popullatë shqiptare. Mirëpo Serbia, e ndihmuar nga Mali i Zi gjatë Luftrave Ballkanike, e copëtoi këtë territor, duke ndryshuar strukturën etnike përmes dhunës, shpërnguljeve të detyruara dhe përndjekjeve sistematike.


Para mërgimtarëve të shumtë të pranishëm, prof. Azizi shpjegoi se si Sanxhaku, përgjatë dekadave, u asimilua me hekur e zjarr, teksa shqiptarëve u mohohej identiteti kombëtar. Ai kishte klasifikuar mbi 300 fotografi dokumentare që flasin mbi etnogjenezën shqiptare të kësaj treve. Nga këto pamje shihet qartë se, pavarësisht vrasjeve, masakrave dhe presioneve të vazhdueshme, shqiptarët arritën të ruajnë traditat, veshjet, zakonet dhe të folmen e tyre.


Prof. Azizi dha sqarime të veçanta për Peshterin, i cili, pavarësisht dhunës së ushtruar mbi të, arriti të mbrojë e ruajë gjuhën dhe kulturën shqiptare brez pas brezi. Ndaj popullsisë shqiptare të këtij lokaliteti u kryen krime dhe masakra si gjatë Luftës së Parë Botërore (1914–1918), ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939–1944).


Një ngjarje që mbetet e paharruar dhe që ende dhemb në kujtesën kolektive është masakra e Bihorit, e kryer më 5–6 janar 1943, gjatë së cilës forcat çetnike masakruan mbi 4 628 shqiptarë, duke lënë plagë të pashërueshme në strukturën demografike dhe shpirtërore të kësaj treve.
Shqiptarët e Sanxhakut, të gjendur përballë rrezikut të shfarosjes nga Serbia dhe Mali i Zi, panë me një farë lehtësimi të përkohshëm ndryshimet politike që solli pushtimi i ish-Jugosllavisë nga Gjermania naziste.


Meqenëse Podujeva, Mitrovica dhe Pazari i Ri ishin zona me interes strategjik për Gjermaninë, shqiptarëve iu njoh e drejta e shkollimit në gjuhën amtare dhe përdorimi i simboleve kombëtare. Mirëpo, me kapitullimin e Gjermanisë, Sanxhaku i Pazarit të Ri mbeti sërish nën administrimin e Serbisë.
Prof. Azizi shpjegoi gjithashtu përpjekjet e Aqif Blutës, Shaban Polluzhës dhe qindra luftëtarëve shqiptarë të mobilizuar nën armë për mbrojtjen e Sanxhakut si tokë dhe etnitet shqiptar.
Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Sanxhakut nuk gëzuan asnjë të drejtë elementare. Ata iu nënshtruan një procesi të asimilimit të dhunshëm: u mohua identiteti kombëtar, u ndalua gjuha shqipe, ndërsa popullsia u detyrua të deklarohej si “serbë të besimit mysliman”, formulë e krijuar për zhdukjen graduale të gjenezës shqiptare.


Me gjithë terrorin shtetëror të vazhdueshëm, edhe sot në Sanxhak gjenden gjurmë të shumta të kulturës dhe identitetit shqiptar. Një numër shqiptarësh, me në krye Sylejman Uglanin dhe Amina Nuroviq-Nuraj, pavarësisht trysnive të Serbisë, vazhdojnë ta ndjejnë veten shqiptarë dhe me këmbëngulje kërkojnë të drejtat e tyre, ashtu si çdo pakicë tjetër në vendet e rajonit.

Të ngjashme