Sara Rexha, fituese e çmimit të parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”

Gjilan | 29 Jan 2024 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Festivali i Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës” ishte aktiviteti i radhës në kuadër të Manifestimit Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, i cili tash e sa javë po mbahet në Gjilan, duke e shndërruar këtë qytet për një muaj të tërë në kryeqendër të kulturës.

Zëri i parë që jehoi në “Yjet e Flakës” ishte e mysafires së vogël të këtij Festivali, Kira Demolli, vetëm 2-vjeçe, e cila solli këngën “Mora fjalë”, me kompozim nga Naim Gjoshi, për t’i lënë radhë më pas dymbëdhjetë konkurrentëve, të cilët interpretuan këngë që i kushtoheshin atdhedashurisë, heronjve, të sotmen, por edhe që i kushtoheshin botës së tyre fëmijërore, të gjitha këto këngë që i përshtateshin karakterit të festivalit.

Festivalin e shpalli të hapur, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, i cili në emër të kryetarit të komunës, Alban Hyseni ka përshëndetur të pranishmit, veçmas fëmijët, si dhe të gjithë yjet që do të ngjiten në skenë dhe do të na kënaqin me zërat e tyre të bukur e plotë hare.

“Në këtë vazhdimësi të këtyre ngjarjeve të rëndësishme artistike që po i sjell “Flaka e Janarit 2024”, me artistë të të gjitha trevave shqipfolëse, sot jemi me Festivalin e këngës për fëmijë, i cili është bërë tradicional tashmë, e ku fjalën kryesore e kanë ata të cilët do ta vazhdojnë më tej punën tonë dhe do ta mbajnë të pashuar ndër vite “Flakën e Janarit”, e cilat tani më është shndërruar në një institucion kulturor mbarëkombëtar me të cilin krenohet qyteti ynë”, ka thënë drejtori Zeqiri.

Ai tha tutje se drejtoria që e drejton është e përkushtuar me tërë kapacitetin për t’i qëndruar në krah që çdo shtylle e “Flakës së Janarit” të shkëlqejë përgjithmonë.

Përndryshe, publiku i pranishëm në sallë u kënaq nga tingujt e dymbëdhjetë këngëtarëve konkurrues si:
Solistja Luiza Koci, kënga “Ushtari“, kompozitore Natyra Mehmeti.
Solistja Kenza Ismajli, kënga “Komandant Adem Jashari“, kompozitore Arife Kastrati.
Solisti Leart Isufi, kënga “Ty Flamur“, kompozuar nga “Creative Studio”.
Solistja Elsa Halilaj, kënga “Univers“, kompozitor Memli Kelmendi.
Solisti Aron Musliu, kënga “Toka ime“, kompozitor Hekuran Bllaca.
Solistja Luna Salihu, kënga “Atdheu”, kompozitor Shaban Ratkoceri
Solistja Aya Sylejmani, kënga “Vendi më mësoi“, kompozitor Xhevat Rushiti.
Solistja Sara Rexha, kënga “Pavarësia“, kompozitor Fitim Elezi.
Solistja Rita Rexhepi, kënga “Këngë vendi“, kompozuar nga “Creative Studio”.
Solistja Norma Haliti, kënga “Atdhe“, kompozitor Hekuran Bllaca.
Solistja Fiona Kabashi, kënga “Kurbeti“, kompozitor Memli Kelmendi.
Solistet Anesa dhe Melisa Shabani, kënga “O Flamur”, kompozitor Mentor Latifi.

Juria në përbërje: Sami Piraj, kompozitor, profesor i muzikës e kritik muzikor, Arta Haziri Nuhiu profesoreshë e muzikës dhe drejtoreshë e festivaleve “Mollëkuqet” dhe “Rising Stars” dhe Shqipe Spahiu, redaktore e programit për fëmijë në RTK, kanë ndarë tri çmime speciale dhe çmimet e vendit të parë, të dytë dhe të tretë.

Kështu. Sara Rexha, është fituese e çmimit të parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”. Me vendin e dytë u nderua Leart Isufi dhe me të tretin, Luiza Koci.

Ndërsa, me çmime speciale u nderuan këngëtarët: Kenza Ismajli, Luna Salihu dhe Rita Rexhepi.

Përndryshe “Yjet e Flakës”, u begatuan edhe me mysafirët e Festivalit, “Dancing Hause”, me koreografen Nazmije Ahmeti, e që u paraqitën me dy pika: “Kënga e Skënderbeut” dhe “Fjalët e qiririt”, pastaj me performancën e Olta dhe Aron Musliui me këngën “Festo vendi im” si dhe me Korin e Fëmijëve të Shkollës së Muzikës në Gjilan, me dirigjent Artan Jerliun, dhe në piano, Diana Toska.

Vlen të theksohet se organizimi ishte i shkëlqyeshëm për të cilën është përkujdesur, Kushtrim Jakupi, drejtor i festivalit, për zërimin dhe ndriçimin, Dj Albani dhe Fatmir Halili, skenografinë: Lyra Jakupi, si dhe me moderim të Ilda Nuhiut.

“Flaka e Janarit 2024”, vazhdon tutje, po sonte me aktivitetin vijues “Përmbledhja e këngëve të Jusuf Gërvallës”.

Të ngjashme