Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, tha se do të kërkojë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç që të jenë të gatshëm për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
“Unë do të kërkoja nga Kurti e Vuçiçi të jenë të gatshëm sa herë që ftohen për takime. E rëndësishme është që liderët të jenë të gatshëm të konkretizojnë veprimet e tyre dhe jo vetëm të ulen e të diskutojnë. Ne duam që të dyja palët të jenë kredibilë dhe t’i realizojnë marrëveshjet e dialogut”, deklaroi Sarrazini në pyetjen se kur pritet të mbahet takimi i radhës i dialogut.
Megjithëse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen të hënën (25 mars) në Bruksel të Belgjikës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) për çështjen e dinarit serb, ende nuk ekziston vullneti i palëve për takim të nivelit të lartë për t’i vazhduar negociatat, posaçërisht rreth zbatimit të marrëveshjeve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi të mërkurën se nevojitet një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve armiqësore që kurrsesi të dalin nga situata parakonfliktuale, por nuk tregoi se kur mund të ndodhë takimi i shumëpritur mes Kurtit e Vuçiçit.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një-vjetorin e “marrëveshjes historike” që u arrit më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paralajmëroi se do të vazhdojë presioni ndërkombëtar ndaj të dyja palëve derisa të nisë zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura brenda kornizës së dialogut.