Maurizio Sarri mund të çojë trofeun e Ligës së Evropës në bankë. Trajneri i Chelseat, një ish-bankier, ka bërë ngritjen më të pabesueshme: nga skuadrat amatore në Toskanë deri në elitën e futbollit botëror.
Por ai kurrë më herët nuk kishte fituar një trofe, shkruan AP.
E gjitha ndryshoi të mërkurën mbrëma me fitoren 4:1 ndaj Arsenalit në finalen e Ligës së Evropës. Por, edhe me këtë Sarri prapë ka gjasa të largohet nga Chelsea.
Gjithmonë si i jashtëm, Sarri shfrytëzoi momentin gjatë festimit për t’u ulur në bankinë dhe për të ndezur një cigare, pavarësisht se pirja e duhanit është e ndaluar në stadium. I njohur si një trajner shumë kërkues dhe shpesh i ftohtë, ka dështuar të fitojë zemrat e tifozëve të Chelesat dhe ka pranuar se nuk e kupton gjithmonë një nga lojtarët e tij më të mirë, Eden Hazardin.
“Hazardi është lojtar i shkëlqyeshëm, por duhet të kalosh dy apo tre muaj për të kuptuar atë si njeri. Por kur e kupton atë si njeri, atëherë e kupton se është njeri i shkëlqyeshëm”, ka thënë Sarri pas ndeshjes.
Hazard të mërkurën pas ndeshjes ka lënë të kuptohet se po largohet nga Chelsea dhe Sarri mund të ndjekë të njëjtën rrugë.