SBASHK merr pjesë në Konferencën Botërore mbi Inteligjencën Artificiale

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i SBASHK-ut, i udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm Ymer Ymeri dhe Nënkryetarja Vjollca Shala, po merr pjesë në Konferencën Botërore mbi Inteligjencën Artificiale, e cila po zhvillohet në Bruksel.

Konferenca, me temën qendrore “Formësimi i së ardhmes sonë: Sindikatat e arsimit udhëheqin për një inteligjencë artificiale të përqendruar te njeriu”, bashkon përfaqësues nga sindikatat e arsimit, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare për të diskutuar ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe rolin e sindikatave në këtë proces.

Hapjen e konferencës e bëri Kryetari i Edukimit Ndërkombëtar (EI), Magwena Maluleke, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetari i ETUCE-s, John MacGabhann, dhe Kryetarja e AFT-së, Randi Weingarten. Gjatë punimeve u diskutua mbi: integrimin e inteligjencës artificiale në arsimin publik; mjetet dhe politikat që garantojnë përdorim etik, të sigurt dhe të drejtë të IA-së; mbështetjen e mësimdhënësve dhe nxënësve për të zhvilluar shkathtësi kritike ndaj teknologjive të reja; rolin e sindikatave në hartimin e kornizave dhe politikave të shkrim-leximit digjital dhe të IA-së.

Delegacioni i SBASHK-ut takoi përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të EI-së, ETUCE-së dhe AFT-së, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave mbi sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale në arsim. SBASHK vlerëson se pjesëmarrja në këtë konferencë është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të një qasjeje moderne dhe të përqendruar te mësimdhënësi dhe nxënësi, duke mbrojtur standardet profesionale dhe të drejtat e punëtorëve të arsimit në epokën digjitale.

Të ngjashme