Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, ka deklaruar se nuk besojnë që procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, pasi siç tha ajo, ka ende telashe për furnizimin e nxënësve me tekste shkollore.
Shala ka thënë se të hënën kanë zhvilluar një takim me kryetarët e sindikatave në nivele komunale dhe janë paraqitur shumë probleme, e prej tyre, siç tha ajo, ishte edhe mungesa e teksteve shkollore.
“Është në pikëpyetje se a do të nisë procesi mësimor më 1 shtator. Problematike është edhe çështja e furnizimit me tekste shkollore. Ka shumë vështirësi rreth aplikimit në platformën e-Kosova pasi platforma bie herë pas here. Problem është edhe pasi një numër i prindërve nuk është i informuar për të. Sa javë do të kalojnë deri në pajisjen e nxënësve me mjete shkollore. Në shumë prej komunave nuk ekzistojnë fare libraritë për blerjen e teksteve shkollore, mësimdhënësit ende s’e kanë të njohur se me cilat tekste shkollore do të punohet”, ka thënë Shala në KTV.
Sipas zyrtares së SBASHK-ut, 50 euro nuk do të mjaftojnë për blerjen e librave për nxënësit nga klasa e parë në të pestën, pasi siç është shprehur ajo, çmimi i librave është rritur.
“E pakuptimtë që çmimi i librave në librari të jetë më i ulët sesa në shtëpi botuese, ku do të ishte bërë furnizimi për të gjitha shkollat e Kosovës. Viteve të kaluara furnizimi me tekste shkollore është bërë më herët. Tash është një kohë e ngushtë për shpërndarjen e tyre”, ka theksuar ajo.
Shqetësuese për Shalën është edhe mungesa e takimeve me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje.