SBAShK: Nuk i kemi fshehur rekomandimet, sindikatat mos ta pengojnë njëra-tjetrën

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 16:46 | Nga
Projektligji për punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta ka shkaktuar përplasje mes SBASHK-ut dhe sindikatave të tjera.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, akuzoi dje SBASHK-un dhe institucionet tjera se po fshehin rekomandimet e Avokatit të Popullit edhe Organizatës Botërore të Punëtorëve lidhur me këtë projektligj.

E ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar sot kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Ai për lajmi.net ka thënë se Sindikatat e Arsimit nuk kanë fshehur asnjë rekomandim, dhe se Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë është duke  i përzierë dy gjëra.

“Ne nuk kemi marrë, mund të ketë pasur BSPK-ja mirëpo Blerim Syla dhe të tjerët po i përziejnë dy gjëra, po i përziejnë ligjin mbi skemat pensionale të financuara nga shteti, ku nenit 8 me insistimin tonë i është shtuar pika 6, ku thuhet se si vite kontributdhënëse ju njihen punëtorëve të arsimit shqip që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës dhe të tjerëve që kanë punu në këtë sistem, kjo ka të bëjë domethënë me njohjen e përvojës, dhe ne pas angazhimeve të mëdha me ndërmjetësimin edhe të atëherë zëvendëskryeministrit, Kujtim Shala, dhe ministrit Abrashi kemi arritur që kjo t’u njihet punëtorëve të arsimit”, u shpreh Jashari.

Jashari ripërsëriti se SBASHK-u nuk ka fshehur rekomandime dhe nuk është marrë me institucionin e avokatit të popullit, por është angazhuar që qëllimet e tyre sipas tij t’i arrijnë me dialog dhe mjete tjera sindikale.

“Ne nuk kemi fshehur rekomandime, as nuk jemi marrë me Avokatin e Popullit as me të tjerat, por me forca tona të mundshme dhe me dialog madje edhe me veprime sindikale kemi luftuar që ky projektligj të shkojë në qeveri dhe në Parlament”, shtoi Jashari.

Jashari shtoi se kjo mënyrë e të qasurit nga sindikatat e tjera nuk është e duhura dhe sindikatat në fjalë duhet të angazhohen që të krijojnë projektligje për pjesën e punëtorëve të tyre, e jo të pengojnë arritjet e tjera grupeve.

“Është rasti i vetëm në botë ku sindikatat ngriten dhe angazhohen për t’i penguar arritjet e sindikatave të tjera. Ata ma mirë ka qenë që tërë energjinë e vet ta qojnë në krijimin e një projektligji për pjesën e punëtorëve të tyre, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë edhe pse kjo pjesë nuk na prek neve, jemi të gashtshëm të punojmë që ai koeficient prej 15 vite përvojë punë të zbritet në së paku 10 vite. SBASHK-u shumë shpesh po mbetet vetëm, dhe si i vetëm nuk mund t’I realizojë edhe kërkesat e të tjerëve, mjafton që ne po përpiqemi t’i realizojmë kërkesat e anëtarësisë tonë ku tani numërojmë më se 22 mijë persona”, përfundoi Jashari.

Projektligji për punëtorët e arsimit shqip ka shkaktuar reagime edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët koston për mbulimin e shpenzimeve të dala nga ky projektligj e kanë cilësuar si të rrezikshëm dhe të rëndë për buxhetin e Kosovës.

Të ngjashme